Shkolla e Magjistraturës, më datë 29 maj 2025, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “E drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale dhe rastet e kufizimeve të saj. Roli i Komisionerit në zbatimin e ligjit dhe vlerësimin e zbatimit të këtyre kufizimeve. Analizë mbi zbatueshmërinë e ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe problematikat që diktuan nevojën për ndërhyrje në këtë ligj. Ndikimi i legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale në punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe nëpunësve të caktuar për marrëdhëniet me publikun dhe median. Gjyqtari për median dhe roli i tij në informimin e medias dhe publikut për çështjet gjyqësore. Roli i gjyqtarit për median në forcimin e besimit të publikut te drejtësia. Rregullat bazë të vendosura nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), për komunikimin në fushën e drejtësisë. Komunikimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë me mediat dhe publikun”, pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Besnik Dervishi dhe Brunilda Kadi
Lehtësuese: Olkeda Lice
Qëllimi i këtij trajnimi është: rikthimi i besimit të publikut në sistemin gjyqësor. Ky objektiv mund të realizohet nëpërmjet forcimit të komunikimit dhe rritjes së transparencës së veprimtarisë gjyqësore. Transparenca luan një rol kyç në krijimin e besimit tek publiku dhe forcimin e llogaridhënies së institucioneve, por nga ana tjetër duhet të respektojë kufijtë e të drejtave të tjera themelore sikurse është privatësia dhe mbrojtja e të dhënave personale. Për këtë arsye është krijuar institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili është veshur me përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e informimit nga njëra anë dhe mbrojtjen e të dhënave personale nga ana tjetër. Një rol të veçantë në këtë drejtim luan Gjyqtari i Medias, si një figurë e re, e parashikuar nga ligji.
Ky trajnim synon paraqitjen dhe diskutimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare që lidhen me komunikimin gjyqësor; me rolin e Gjyqtarit të Medias, të drejtës për informim dhe rastet e kufizimit të saj.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Rregullat bazë të vendosura nga Komisioni Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), për komunikimin në fushën e drejtësisë. Komunikimi i gjyqësorit dhe i prokurorisë me mediat dhe publikun;
- Ndikimi i legjislacionit të ri të mbrojtjes së të dhënave personale në punën e gjyqtarëve, prokurorëve dhe nëpunësve të caktuar për marrëdhëniet me publikun dhe median;
- Udhëzuesi Standard i Marrëdhënieve të Gjykatave Me Publikun dhe Median;
- E drejta e informimit, mbrojtja e të dhënave personale dhe rastet e kufizimeve të saj. Roli i Komisionerit në zbatimin e ligjit dhe vlerësimin e zbatimit të këtyre kufizimeve. Analizë mbi zbatueshmërinë e ligjit nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe problematikat që diktuan nevojën për ndërhyrje në këtë ligj.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, prokurorë dhe kancelarë të Republikës së Shqipërisë.